Tuesday, January 6, 2026

Përherë të fundit



Jeta jonë është e ndërtuar mbi lamtumira që shpesh nuk i njohim si të tilla.

Që nga fëmijëria e deri te fryma e fundit, kalojmë përmes ndarjeve të heshtura, pa e ditur se po jetojmë një përherë të fundit. Takime që nuk i përshëndesim si lamtumira, ditë që nuk i shënojmë si funde, gjeste të zakonshme që marrin kuptim vetëm pasi kanë kaluar.

Përherë të fundit zgjohemi si fëmijë, përherë të fundit ndajmë pushime me familjen, përherë të fundit mbyllim një derë pa e ditur se nuk do të kthehemi më. Shumica e këtyre çasteve na gjejnë të pavetëdijshëm, dhe ndoshta pikërisht kjo i bën ato kaq të rënda kur i kuptojmë më vonë.

Këto largime i shoh si stacione presje: jo pika fundore, por ndarje që e ndajnë jetën në një para dhe një pas. Pas tyre, gjithçka rrjedh ndryshe. Një shkrimtar lë dorëshkrime të papërfunduara duke besuar se ka ende kohë; një nënë bën përgatitje për stinën e dimrit pa e ditur se shtëpia e saj nuk do ta presë atë stinë e do të rënohej.Askush prej tyre nuk e di se po jeton fundin.

Po sikur t’i dinim këto çaste? Ndoshta do të mbeteshim peng i frikës dhe keqardhjes, do të jetonim jo me autenticitet, por me llogaritje. Ndoshta për këtë arsye nuk na lejohet ta dimë herën e fundit.

Sepse jeta, ndoshta, ka nevojë për këtë padije që të vazhdojë. Dhe ndoshta lamtumirat e fundit janë si supernova: çaste shndërrimi që ndriçojnë fort, pak para se gjithçka të marrë një formë tjetër.

 

No comments:

Post a Comment